"GUIDA ME E RE TURISTIKE E SHQIPERISE"
Një guidë turistike prej 74 faqesh në gjuhën spanjolle, ku dalin në pah historia dhe kultura e pasur e Shqipërisë dhe shqiptarëve, u promovua dje në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në prani të Ministrit Ferdinand Xhaferaj dhe ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, Emanuel Montobbio. Guida me titull "Shqipëria" e botuar në Spanjë, është shkruar nga dy profesorë të njohur në fushën e historisë, gjeografisë dhe sociologjisë, Prof. Eladi Romero dhe Prof. Salvador Martinez.
Një guidë turistike prej 74 faqesh në gjuhën spanjolle, ku dalin në pah historia dhe kultura e pasur e Shqipërisë dhe shqiptarëve, u promovua dje në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në prani të Ministrit Ferdinand Xhaferaj dhe ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, Emanuel Montobbio. Guida me titull "Shqipëria" e botuar në Spanjë, është shkruar nga dy profesorë të njohur në fushën e historisë, gjeografisë dhe sociologjisë, Prof. Eladi Romero dhe Prof. Salvador Martinez.
Botimi, me informacionin që përmban në 74 faqet e tij, nxjerr në pah historinë dhe kulturën e pasur të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Botimi përmban shumë informacion të shoqëruar me foto dhe imazhe mbi gjeografinë, historinë, natyrën, zakonet dhe zhvillimet e fundit demografike e shoqërore në vend.
Realiteti i sotëm shqiptar ofron për vizitorët e huaj Tre Qendra të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të cilat plotësohen nga trashëgimia jashtëzakonisht e vlefshme kulturore shpirtërore, siç janë tradita e këngës iso-polifonike, dizenjo të njohura tekstilesh dhe lidhjet ekzemplare kulturore ndërmjet besimeve (xhamitë, vendet myslimane, kishat ortodokse dhe katolike, manastiret, teqet e bektashinjve), muret bizantine, gjurmët e qytetërimit romak dhe qytetërimeve të tjera të gjitha këto dëshmojnë për pikat e takimit ndërmjet popujve dhe civilizimeve të ndryshme dhe për një histori të pasur e të ndryshme kulturore, e cila ka evoluar përgjatë më shumë se tre mijëvjeçarëve.
Në fjalën e tij hyrëse ministri Xhaferaj u shpreh se tashmë Shqipëria për shkak të bukurive të saj dhe realitetit që ajo ofron konsiderohet si një Destinacion Turistik me një popullaritet në rritje. "Operatorët e njohur Turistikë dhe Shkruesit e Guidave të Udhëtimit, cilësoi ai, janë tashmë familjarë me Shqipërinë (Shqipëria është pasqyruar gjerësisht në programet dhe itineraret turistike, por edhe në artikuj të veçantë të medias së shkruar dhe vizive). Sot kemi kënaqësinë e veçantë, të prezantojmë Guidën e Parë për Shqipërinë, të botuar në Spanjë e të shkruar nga dy profesorë të mirënjohur në fushën e historisë, gjeografisë dhe sociologjisë. Ky botim është padyshim rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm me ambasadën e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri", theksoi ai.
Ministri Xhaferaj, falënderoi me këtë rast ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio, i cili ka mbështetur MTKRS vazhdimisht, në realizimin e misionit të saj për promovimin e imazhit të Shqipërisë, si një vend i gjallë, tërheqës dhe mikpritës me destinacione të shumta turistike bazuar në kulturën dhe bukuritë e saj natyrore. Me mbështetjen e qeverisë spanjolle dhe në bashkëpunim me UNDP ne kemi përfunduar edhe strategjinë e marketimit të kulturës, e cila synon të promovojë dhe prezantojë kulturën shqiptare me instrumentet bashkëkohore të marketingut kulturor.
Mediat e huaja, jehonë turizmit shqiptar
Më parë gazeta të njohura si "Corriere Della Sera', "The Guardian", "USA Today", "The Seattle Times", forumi elektronik Helium, por edhe së fundi revista e mirënjohur "National Geographic" kanë shkruar artikujt e tyre për Shqipërinë turistike.
Botimi që u prezantua dje përmban shumë informacion të shoqëruar me foto dhe imazhe mbi gjeografinë, historinë, kulturën, zakonet, festivalet folklorike, kuzhinën e shumëllojshme, restorantet unike dhe bukuritë panoramike të Shqipërisë. Ky botim është një udhërrëfyes ideal për turistët dhe biznesmenët që vijnë në Shqipëri. Ai jo vetëm që ndihmon në promovimin e potencialeve turistike të Shqipërisë, por edhe në prezantimin e mundësive për investim dhe biznes në vendin tonë të lidhura këto ngushtë me njëra-tjetrën.
Qeveria shqiptare dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë vendosur turizmin një prioritet kombëtar. Turizmi sot është pjesë e rëndësishme e axhendës dhe investimit të Kryeministrit të vendit, u shpreh ai, i cili ka parë tek turizmi potenciale të shumta për zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.
Qëllimi ynë, theksoi ministri, është të punojmë ngushtësisht me sektorin privat për të fuqizuar më tej në tregjet ndërkombëtare, pozicionin e Shqipërisë dhe të turizmit shqiptar.
Gjithashtu, theksoi faktin se deri më tani, shifra e turistëve të ardhur në Shqipëri ka kaluar numrin një milion. Po punojmë që numri i turistëve që do të vizitojnë Shqipërinë deri në fund të 2010 të jetë 3.5 milion.
Ministri e mbylli fjalën e tij me një paragraf të shkurtër, marrë nga profesorët spanjollë që kanë hartuar këtë guidë. "...Pas murit të shembur shqiptar ka një vend të virgjër, me një pasuri historike dhe peizazhe të cilësisë së parë. Jo rastësisht kultura shqiptare ka një histori më shumë se 2000-vjeçare. Hapësirat e saj natyrore, ende larg shfrytëzimit të padiskriminuar, bashkojnë në harmoni male alpine, plazhe të paprekura, qytete me zona historike të pavdekshme, gastronomi të mirë dhe një mikpritje të pazakontë. Forca tërheqëse e vendit është e parezistueshme dhe gëzimi i të vërtetuarit se në Evropë ende mund të gjenden vende të paeksploruara, është një kënaqësi e paevitueshme për të apasionuarit e udhëtimeve dhe kulturës..."
Këto janë dhe fjalët të cilat dëshmojnë më së miri unikalitetin e bukurisë shqiptare dhe na japin kurajë për të vazhduar në hapat e mëtejshme.
Dy fjalë për autorët
Eladi Romero është Doktor i Historisë. Autor i disa romaneve, ka publikuar në këtë shtëpi botuese, përveç të tjerave, edhe guidat e famshme si Udhëtim në Bullgari, Kroaci, Slloveni, Maltë si dhe vende të kujtesës dhe itinerare të luftës civile spanjolle.
Salvador Martinez është Profesor i Historisë, Gjeografisë dhe Sociologjisë si dhe udhëtues profesionist. Në Laerte ka publikuar Udhëtim në Francë dhe Pirinej, Bretanja, Korsikë dhe Kantabria, ndërmjet guidave të tjera.
Montobbio: "Kjo është një guidë speciale që u hap dyert turistëve"
Ambasadori spanjoll, Emanuel Montobbio vlerësoi se, "kjo është një guidë speciale që na hap 2 dyer. Na hap një derë ndaj një bote të mbyllur që ka vuajtur deri në vonë një natë të errët të historisë së saj në të cilën nuk kishte e mundur që shqiptarët të hynin në vende të ndryshme të botës, dhe për të huajt të hynin në Shqipëri". Dhe dera e dytë, sipas tij, është fakti që "bota e Shqipërisë së sotme nuk është më ajo e historisë më të trishtë, por është një botë e zhvillimit të demokracisë". "Përtej miliona bunkerëve del në pah një shoqëri thellësisht mesdhetare me vitalitet, mikëpritëse, komplekse, etj, dhe që kërkon t'i ndajë këto gjëra me të huajin, i cili transformohet më pas në një mik të mirë," tha më tej ambasadori. Sipas tij, "Shqipëria ka edhe bukuri natyrore duke filluar që nga luginat, malet e Thethit, detet, qytetet historike me një bukuri të veçantë, pra një botë e veçantë që e bën udhëtimin një eksepriencë të paharrueshme". Botimi Albania është i një botim i denjë për një koleksionues botimesh të ngjashme, si dhe për t'u përdorur nga hotelet e restorantet, por edhe nga agjencitë ndërkombëtare dhe institucione të tjera. Duke e konsideruar turizmin si një nga prioritetet e qeverisë, ministri Ferdinand Xhaferaj tha se, "deri tani shifra e turistëve të ardhur në Shqipëria e ka kaluar numrin një milion, dhe ne shpresojmë që numri i turistëve deri në fund të 2010 të ketë arritur shifrën prej 3.5 milion vizitorë". "Ne do të punojmë ngushtë me sektorin privat për të fuqizuar më tej në tregjet ndërkombëtare pozicionin e Shqipërisë dhe të turizmit shqiptar", përfundoi Xhaferraj.
(Rilindja Demokratike, Tirane)

Press Freedom Fest 2010 - Intervistat me kontribuesit






