FATOS KLOSI: "NANO" SPIUN NE AMBASADA
(Fragment)- Kohë më parë keni prekur përciptazi në një deklaratë tuajën publike një fenomen tronditës. Sipas jush ministra të qeverisë kanë qenë spiunë të ambasadave të huaja? A i qëndroni kësaj deklarate dhe konkretisht për cilët ministra bëhët fjalë?
Kjo është absolutisht e vërtetë. Shume nga Ministrat tanë janë miq apo servilë diku në ndonjë ambasadë. Madje po ju them që ka patur ministra që kërkonin mbështetje nga ambasada të ndryshme për tu emëruar apo për të mos u hequr nga detyra. Të paktën për kohën kur unë kam qenë drejtor i SHISH këtë e them me bindje të plotë.
Spiunazhi në botë ka ndryshuar lëkurën, format e punës dhe objektivat. Tanimë spiunazhi nuk orientohet më për të marr vesh ndonjë informacion sekret, më shumë pretendohet për një aktivitet që synon të influencojë në vendimmarrje.
Ca doni të thoni me ministra servilë diku në ndonjë ambasadë?
Servilizmin një hap e ndan nga detyrat e spiunazhit. Ka patur ministra që sapo mbaronte mbledhja e qeverisë shkonin raportonin tek miqtë e tyre se çfarë ishte diskutuar në qeveri, se çfarë kishte thënë njëri apo tjetri ministër, se ky ministër mbrojti këtë interes dhe ai tjetri mbrojti atë interes, se ajo që mora unë përsipër se bëra dot se ndërhyri filan ministër dhe ma ndaloi etj. Atëhere çfarë duhet të raportosh më shumë?
Ju nga e mësonit këtë?
Ma thonin vetë partnerët e mi të huaj në takime. Më thonin që filan ministër ka thënë kështu në mbledhjen e qeverisë dhe ministri tjetër e ka kundërshtuar. Unë i pyesja: Ore po nga i dini ju këto?. Epo çfarë rëndësie ka nga i dimë ne, është e vertetë, më thonin. Të dy palët e kuptonim këtë të vërtetë. Qëndrimi që kam mbajtur ndaj këtyre partnerëve sa herë vihesha në dijeni për raportimin e ministrave të qeverisë sime, ka qenë gjithmonë në mbrojtje të interesit të vendit tim. Këtë e bëja në mënyrë të tillë që të mos dilnim fare legena para të huajve, që paskemi në qeveri njerëz të këjit apo atij vëndi.
Kryesisht në cilat ambasada raportonin? Në ato të vendeve të rajonit, SHBA-së, BE-së apo të Lindjes?
Në të rajonit, greke dhe italiane, sepse ato janë më të interesuara drejtpërdrejt për zhvillimet në Shqipëri. Problemet e tyre këtu zgjidhen me influenca në vendimmarrje. Spiunazhi sot kështu është orientuar, ta thashë dhe pak më lart, që synon të influencojë më shumë në vendimmarrje. Por detyra që u kërkohej këtyre ministrave si të thuash pak a shumë kjo ka qenë: të mbështensin interesat e grekëve apo italianëve këtu, të merreshin me zgjidhjen e problemeve që ata hasnin.
Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Avigdor Lieberman pak muaj më parë deklaroi se Hezbollahu po kanalizon para për ngritjen e celulave të terrorizmit në Ballkan, kryesisht në rajonet e populluara nga boshnjakët dhe shqiptarët. Në dijeninë tuaj si ish drejtori i SHISH-it, a mendoni se Shqipëria është një vend ku terrorizmi mund të ngrejë celulat e tij?
Terrorizmi nuk është me origjinë ballkanike. Është e vërtetë se Shqipëria, vite më parë është përdorur nga terroristët si një vend i qetë, ku ata mund të vinin lehtësisht për tu fshehur me identitete të rreme pa u ngacmuar nga askush. Tani terroristët e dinë shumë mirë që Shqipëria nuk është më një vend i qetë për ta, ku mund të pushojnë qetësisht pa i trazuar kush. Shqipëria ka pasur goxha probleme me terrorizmin. Rajoni ka tre vende me shumicë myslimane Turqinë, Bosnjën dhe Shqipërinë dhe në përgjithësi terrorizmi identifikohet me persona që i përkasin këtij besimi fetar. Kështu që këto janë vende potencialisht të mundura ku ata mund të gjejnë mbështetje më të madhe se në vendet e tjera. Natyrisht është puna e Shërbimit Informativ dhe e shtetit që të japë mesazhin që Shqipëria nuk është më një vend i qetë për terroristët siç konsiderohej deri në 97 apo 98. Këtu tek ne siç e dimë tashmë të gjithë kanë qenë personazhe të rëndësishëm të terrorizmit. Ata skishin asnjë objektiv në Shqipëri sepse siç dihet terroristët kanë për objektiv vendet e mëdha, në mënyrë që aktet që bëjnë të kenë sa më shumë efekt në botë.
(Gazeta Shqiptare, Tirane)

Press Freedom Fest 2010 - Intervistat me kontribuesit






